Asgjë nuk mund ta zëvendësoj kënaqësinë e shoqërimit me librin, letërsinë. Është aventurë e veçantë, rrugëtim në botën reale dhe joreale, ndërtim i kulturës së përgjithshme. Të vetëdijshëm për peshën dhe rëndësinë e botimeve, në veçanti të librit, u themelua Shtëpia Botuese “Dukagjini”.
E themeluar më 14 mars 1994, në kohët e vështira për librin dhe kulturën në këto anë, me iniciativën e një grupi krijuesish e intelektualësh dhe me përkrahjen e pa rezervë të NGBL-së së atëhershme, SH.B. “Dukagjini” për një kohë të shkurtër u promovua në njërën nga shtëpitë më të mëdha botuese, jo vetëm në Kosovë e ndër shqiptarë, por edhe më gjerë. Me emrin e saj lidhen ide e ndërmarrje të guximshme botuese, që u paraqitën në përurime, panaire e manifestime të tjera të librit në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë, Frankfurt, Gjenevë, Paris, etj. Në mbështetje të aktiviteteve të saj ishte hapur dhe Libraria Ndërkombëtare në Prishtinë, e para e këtij lloji në Kosovën e pasluftës. Shumë shpejt kjo librari u bë vendtakim i atyre që e pëlqejnë botën e të shkruarit, leximit, thithjen e njohurive të reja, kulturën e leximit, në shqip apo në gjuhët tjera.
Duke filluar me seritë “Fryma” (dijet humane) dhe “Rozafa” (letërsi) e më vonë me “Botimet e veçanta” dhe “Dukagjini Balkan Books” (në gjuhë të huaja), pak vite pas luftës, “Dukagjini” mblodhi rreth vetes autorët më të njohur të teksteve shkollore, për t’u bërë sot lider i botimeve të arsimit fillor e të mesëm të reformuar.
“Dukagjini” përuroi të parën “web page” (ueb faqe), në mesin e botuesve shqiptarë. Ka marrë shumë mirënjohje e çmime të rëndësishme, autorët e tij u botuan në disa gjuhë botërore, ndërsa në kolonat e botimeve të veta, të shquara për përgatitje profesioniste dhe dizajn modern, përveç në gjuhën shqipe botoi edhe libra në gjuhë angleze, gjermane e frënge.
I njohur për respektimin rigoroz të të drejtave të autorit, “Dukagjini” ka bashkëpunuar me botues të vendit e të jashtëm, me shpërndarës ndërkombëtarë, me organizata e fondacione të shoqërisë civile si dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës, me licencat e së cilës ka sjellë gjithë programin e teksteve shkollore.
Janë mbi 200 tituj të botuar në katër kolonat e përmendura dhe rreth 160 tekste shkollore nga klasa I deri tek ajo IX, në Gjuhën Shqipe, por edhe në gjuhët e minoriteteve, turke e boshnjake, si dhe një seri manualësh, doracakë për mësim në diasporë, etj.