Radio & TV Dukagjini

  • Sinjalin e parë e emetoi më 16 qershor 2001
  • Dëgjohemi në mbarë botën
  • Në të gjitha rrjetet kabllore
  • Plot 15 vite punë

Radio

E themi para se të tjerët t’a dëgjojnë. E filluam seriozisht, por aspak vetëdijshëm se do të arrihet ky sukses. Gati 15 vjet më pas kuptojmë sa i rëndësishëm, sa me peshë dhe sa i suksesshëm ishte investimi ynë.

Sot, kur përmbledhim punën e Radio Dukagjinit, me kënaqësi konstatojmë se ia dolëm. Radio Dukagjini me frekuenca: 99.7, 94.5, 104.7, 92.7, 105.1, në programin satelitor dhe ueb faqen www.dukagjini.com.

Jemi radio që sajon dhe emeton program nga dy studio: në Prishtinë dhe Pejë. Kjo sjell freski në program duke ruajtur tërësinë kompakte të Radios.

Ia dolëm të jemi pjesë e çdo shtëpie, çdo familje, çdo institucioni, dhe më e rëndësishmja: ia dolëm të jemi pjesë e Kosovës. Pjesë e suksesshme e Kosovës. E nismave të asaj kohe, që kundruall të gjitha problemeve që e përcjellin një kolektiv, rezultoi me sukses.

Ndoshta ishte një fillim entuziast, por si edhe çdo nismë e Dukagjinit, korri sukses. Filloi në Pejë me një staf të vogël. U zgjerua edhe në Prishtinë, po ashtu me një staf të vogël. Ishim radio lokale, u bëmë shumë shpejt kombëtare. Jo vetëm kaq. Sot dëgjohemi në mbarë botën, falë zhvillimit të hovs hëm të teknologjisë dhe jo vetëm të teknologjisë. Falë edhe punës së dhjetëra të punësuarve në Radio Dukagjini.

Dhe shpesh na pyesin se cila është formula e suksesit?

Së pari: një kombinim i shkëlqyeshëm i përvojës së më të vjetërve dhe entuziazmit të të rinjve. E dyta: programi për çdo kënd nga diçka. E treta: paanshmëria dhe objektiviteti Dhe në fund, ndonëse jo edhe më pak e rëndësishmja: afërsia me dëgjuesit tanë, kontaktet e vazhdueshme me ta. Pranimi me zemërgjerësi e çdo kritike, vlerësimi, sugjerimi apo propozimi të tyre.

Dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Për më tepër, tash e kemi obligim.

Na keni besuar. Na keni ngritur në majë. Ju kemi borxh dhe u jemi mirënjohës. Juve dëgjues tanë të nderuar.

Televizion

Raportimi i veçantë dhe i drejtpërdrejtë si dhe paanësia dhe qasja profesionale në të bërit program televiziv, bëjnë që TV Dukagjini të jetë televizioni më alternativ në vend, duke ofruar hapësirë të pafundme për qytetarët e Kosovës, interesin, problemin dhe orientimin e tyre.

E gjitha kjo bëhet pa kurrfarë ngjyrimi politik, religjioz apo ideologjik.

Me skemën e re programore dhe qasje nacionale TV Dukagjini ka arritur që në kohë rekord të shndërrohet në kanal të besueshëm të informimit.

Krahas besueshmërisë, falë stafit entuziastë dhe teknologjisë së fundit, është kultivuar edhe shpejtësia e raportimit duke e bërë atë televizionin me më së shumti transmetime të drejtpërdrejta të secilit lajm në Kosovë.

Dukagjini, pos që është i drejtpërdrejtë, ofron edhe komente, opinione dhe analiza të ndryshme nga një numër rekord opinion bërësish në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, dhe gjithë rajonin e Ballkanit.

Duke qenë televizioni i vetëm në Kosovë më dy studio në qytete të ndryshme, Prishtinë dhe Pejë, TV Dukagjini ka edhe rrjetin e gjerë të korrespodentëve nga qytetet kryesore të Kosovës, kryeqytetet e rajonit dhe të shteteve vendimmarrëse perëndimore, duke mundësuar që secili lajm të jetë i shpejt dhe i besueshëm.

Programi i TV Dukagjinit është i bazuar në modelet më të fundit televizive të kultivuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të zhvilluara, duke e rivendosur kështu programin në interes të drejtpërdrejtë të shikuesit, në mënyrë që të pozicionohet në hap me kohën edhe në raportin që tashmë televizioni ka pas medias së re online.

Kësisoj, pos informimit, dhe argëtimit, TV Dukagjini synon që t`i kryejë shërbim të drejtpërdrejtë qytetarit duke e shtuar dhe fisnikëruar kështu misionin fillestar që ka televizioni si media.

Rr. Ismail Qemali
Nr. 2, 30000, Pejë
039 433 093, 039 432 025

Rr. Hajdar Dushi Nr.
6, 10000, Prishtinë
038 244 031, 038 244 032